Vjosa Osmani hedh votën, shpreson që zgjedhjet të sjellin Kuvend dhe Qeveri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka hedhur sot votën e saj për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke uruar që procesi të zhvillohet në mënyrë të qetë, të rregullt dhe demokratike.
Osmani po ashtu ka ftuar qytetarët të marrin pjesë masivisht në procesin zgjedhor.
“Uroj që sot Republika jonë të ketë zgjedhje të qeta, të rregullta, demokratike, uroj po ashtu që të kemi zgjedhje me pjesëmarrje sa më masive të qytetarëve të Republikës sonë me të drejtë vote. Si gjithnjë zgjedhjet janë një proces i rwndwsishwm demokratik, ku vendimmarrja kthehet tek qytetarët tanë. Shpresoj natyrisht që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të rezultojnë me krijim sa më shpejtë të Parlamentit dhe zgjedhje të Qeverisë së Kosovës të cilat janë të domosdoshme për procese të rëndësishme të brendshme dhe ndërkombëtare për Republikën tonë. Dua t’i falënderoj të gjitha institucionet që janë angazhuar dhe angazhohen edhe gjatë ditës se sotme që ky proces zgje3dhor të jetë sa më i rregullt. Nga KQZ tek institucionet tona të sigurisë dhe ato të drejtësisë. Falënderim edhe për juve mediat që sot gjatë tërë ditës do të raportoni për këtë proces. I uroj gjithë qytetarët e Kosovës dhe shpresoj që çdo gjë të shkojë në rregull dhe qetë”, tha Osmani.
Presidentja Osmani theksoi se pas përfundimit të zgjedhjeve, partitë politike do të gjejnë rrugën për të krijuar institucione funksionale dhe stabile.
“Ky ka qenë mesazhi im gjatë tërë kohës, dhe menjëherë pasi të përfundojë ky proces zgjedhor, jam e bindur që të gjitha partitë politike do të gjejnë një rrugë përpara, në mënyrë që të kemi institucione funksionale, stabile dhe me legjitimet të plotë të cilat do të marrin vendime në të mirë të qytetarëve tanë dhe të Republikës sonë”, ka theksuar Osmani.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetareve rreth ndërprerjes së energjisë në disa qendra votimi, Osmani tha se të gjitha qendrat e votimit sipas KQZ-së kanë funksionuar normalisht në pjesën e parë të mëngjesit. Ajo bëri thirrje që çdo problem i vogël të zgjidhet shpejt nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në bashkëpunim me institucionet relevante.
“Pyetje që duhet të ja drejtoni KQZ-së, meqenëse aty janë edhe task forcat që merren me këto çështje. Nga informatat që na janë dërguar neve nga KQZ, në pjesën e parë të mëngjesit të gjitha qendrat e votimit janë duke funksionuar në rregull. Dhe jam e bindur që në qoftë se ka pasur ndonjë parregullsi të vogël aty këtu, që KQZ në bashkëpunim me gjitha institucionet e tjera do të rregullojë sa më parë që të jetë e mundur”, nënvizoi Osmani.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në orën 11:00 kanë dalë në zgjedhje 165 mijë e 404 votues apo 8.27 për qind. Në të njëjtën periudhë, në zgjedhjet e kaluara të 9 shkurtit kishin votuar 169 mijë votues apo 8.58 për qind.
Kryetari i KQZ-së, Kresnik Radoniqi bëri të ditur edhe daljen në votim të qytetarëve deri në orën 11:00.
Ai tha se deri në këtë periudhë kanë dalë në zgjedhje 165 mijë e 404 votues apo 8.27 për qind. Në të njëjtën periudhë, në zgjedhjet e kaluara të 9 shkurtit kishin votuar 169 mijë votues apo 8.58 për qind.
